Mbyllen qendrat e votimit

Tashmë kur ora shënon 19:00 të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur, duke shënuar kështu përfundimin e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në ora 17:00 të drejtën për të votuar e kanë ushtruar 771 mijë e 912 votues apo 38.61% nga gjithsej 1 milion e 999 mijë e 204 votues me të drejtë vote brenda vendit.
Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se dy orë para përfundimit të procesit të votimit janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy qendra të votimit, ndërsa në një vendvotim tjetër është evidentuar problem me mospërputhjen e kodeve në fletëvotime.
Sipas DnV-së, pas dhjetë orësh nga hapja e vendvotimeve, procesi zgjedhor në përgjithësi po zhvillohet i qetë, ndërsa është vërejtur një rritje e interesimit të qytetarëve për të votuar. Dalja në votime deri në orën 17:00 ka arritur rreth 38,9 për qind, pothuajse e njëjtë me zgjedhjet e 9 shkurtit, kur në të njëjtin interval kohor pjesëmarrja ishte rreth 39 për qind. Qytetarët e Kosovës edhe më 9 shkurt të këtij viti iu drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur Kuvendin dhe qeverinë e re, por ndonëse pas disa bllokadave Kuvendi i Kosovës u konsititua, ndërsa qeveria nuk u arrit të formohej.
